Arrestohet asamblisti i LDK-së në Podujevë për kanosje dhe sulm fizik ndaj Shpejtim Bulliqit
Policia e Kosovës ka arrestuar asamblistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Enver Rrahmanin, nën dyshimin se ka kanosur dhe sulmuar fizikisht kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqin.
Në raportin 24-orësh bëhet me dije se i njëjti është dërguar në mbajtje.
“Sulm ndaj personit zyrtar - Podujevë / 12.09.2024 – 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndryshe, Bulliqi dhe Rrahmani janë përplasur verbalisht dje gjatë seancës së Kuvendit Komunal.
Ata i janë drejtuar njëri-tjetrit me shprehje si “tradhtar”, “pis”, “legen”.
Si pasojë, është ndërprerë edhe seanca. Në pamjet e publikuara shihet se Rrahmani i afrohet Bulliqit dhe se pastaj ndërhyjnë asambleistët, mirëpo nuk shihet ndonjë konfrontim fizik.