Arrestohet një serb, dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile në Istog
I dyshuari T.P., me nacionalitet serb, është arrestuar sot nën dyshimin për kryerje të veprës penale ‘krimi i luftës kundër popullsisë civile’.
Kështu u bëhet e ditur përmes një njoftimi për medie.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim, bashkëpunim dhe me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot më 12.09.2024, ka arrestuar të dyshuarin T.P., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘krimi i luftës kundër popullsisë civile’, vepër kjo e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.
I dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth muajit mars të vitit 1999, në Istog, dyshohet se ka kryer vepra të ndryshme penale duke përfshirë, plaçkitjen dhe shkatërrim të pasurisë së popullsisë civile.
Me urdhër të prokurorit të çështje, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor.