Ofenduan dhe sulmuan policinë, pamje nga arrestimi i katër serbëve në veri [video]
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona, për të cilët tha se fillimisht kanë ofenduar e më pas edhe kanë sulmuar dy zyrtarë policorë në shëtitoren e Mitrovicës Veriore. Njëri prej policëve ka pësuar edhe lëndime.
Lajmin e ka konfirmuar shefi i Operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Petrit Fejza.
Ai tha se të dyshuarit ishin nën ndikim të alkoolit.
“Më 10.09.2024 katër persona të moshës madhore kanë ofenduar e më pas sulmuar dy zyrtarë policorë në shëtitore të Mitrovicës Veriore e më pas janë larguar, ku njëri nga policët ka pësuar lëndime. Njësitet policore kanë arritur t’i arrestojnë të dyshuarit në rrugën ‘Knjaz Milosh’. Të njëjtët janë dërguar në stacion policor e më pas janë dërguar për kontroll mjekësor. Të njëjtët kanë kundërmuar alkool, u është bërë matja dhe ka dalë që tre nga ta janë nën ndikim të alkoolit, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje”.
Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri serb Millosh Vuçeviq, si dhe partia kryesore e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi, Lista Sërpska, të cilët propaganduan se të rinjtë janë rrahur nga Policia e Kosovës dhe këtë e prezantuan si “represion ndaj serbëve në Kosovë”.
Vuçeviqi ka thënë mëngjesin e sotëm se, “sipas informacioneve të reja” në pjesën veriore të Mitrovicës, janë arrestuar tre të rinj të nacionalitetit serb, si dhe i katërti që “të gjitha i ka regjistruar në telefonin e tij”.
“Sipas informacioneve që kam, kam folur me Petar Petkoviqin sot në mëngjes, tre serbë, të rinj të kombësisë serbe, janë rrahur në veri, janë nxjerrë zvarrë nga një ndërtesë dhe janë rrahur dhe një i katërti është arrestuar i cili të gjitha këto i ka regjistruar në telefonin e tij, i cili regjistroi represionin dhe sulmin ndaj të rinjve serbë”, tha Vuçeviqi për TV Prva.
Vuçeviqi shtoi më pas se ai “ka informacione se ata [Policia e Kosovës] e kanë arrestuar njërin nga të rinjtë sepse dyshohet se e kanë identifikuar në lidhje me protestën serbe të vitit të kaluar në Zveçan”.
Narrativën e Vuçeviqit e vazhdoi edhe Lista Sërpska në një postim në Facebook.
Kjo parti thotë se “rrahja brutale dhe arrestimi i tre të rinjve serbë në Mitrovicë të Veriut është dëshmi e brutalitetit të policisë së Kosovës ndaj serbëve, të gjitha të drejtuara nga Albin Kurti, që është bërë rutinë në veri të Kosovës”.
Për videon që u shpërnda në rrjete sociale ku pretendohet se është rasti i arrestimit të këtyre të rinjve, Lista Sërpska tha se kjo “s’është hera e parë që ka dëshmi të qarta të brutalitetit të vartësve të Kurtit dhe se nuk ka kontroll të inspektoratit të Kosovës, as reagim të përfaqësuesve ndërkombëtarë ndaj represionit institucional të popullit serb”.
Për më tepër, Lista Sërpska pretendoi se “mjekëve serbë u ndalohet e drejta për të ekzaminuar të arrestuarit, e me këtë fshihen dëshmitë e brutalitetit ndaj të rinjve duarthatë”.
“Ky përdorim i tepruar i forcës dhe arrestimi i një të riu u pasua me rrahje, poshtërim dhe kërcënim me armë zjarri në shëtitoren e qytetit në qendrën strikte të Mitrovicës Veriore. Skena të tilla nuk do të shihni askund tjetër në Kosovë dhe kjo sjellje çnjerëzore dhe joprofesionale është e rezervuar pa dyshim për serbët. Arrestimi i të riut që filmoi këtë veprim brutal dëshmon sesi këto falangat po fshehin provat e krimeve të tyre”./Express