Rrahja në Emshir, nga një muaj paraburgim ndaj tre personave
Gjykata Themelore Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve A.H.1, A.H.2, J.H., ndërsa ndaj M.H. është caktuar masa paraqitja në stacionin policor, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale lëndimi i rëndë trupor dhe lëndimi i lehtë trupor.
Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, të shmangen nga procedura penale, ndikimi në dëshmitarë, si dhe të përsërisin veprën penale.
Ekziston dyshimi i bazuar se më 5 shtator 2024, rreth orës 20:30 në lagjen “Emshir” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H., N.H., S.H. dhe B.H., ku pas një fjalosje të shkurtër, fillojnë t’i godasin në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast të dëmtuarit A.H. i shkaktojnë lëndime të rënda trupore.
Në të njëjtën datë, kohë dhe vend, për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit N.H., S.H. dhe B.H., ku pas një fjalosje të shkurtër fillojnë t’i godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’ rast të njëjtëve iu shkaktojnë lëndime të lehta trupore.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.