Parandalohen tri raste të kontrabandimit me mallra nga Serbia
Policia, bashkë me Doganën e Kosovës, dje dhe sot kanë parandaluar tri raste të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar me Serbinë.
“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia e Task-Forcës, në përbërje nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në vazhdën e zbatimit të masave të luftës kundrejt dukurive të kundërligjshme, e në veçanti asaj të kontrabandës, si rrjedhojë edhe e marrjes së veprimeve hetimore dhe operative në terren, në zonën kufitare RKS-SRB ka ndërhyrë në tri raste të ndara, që kanë rezultuar me parandalimin e kontrabandimit të mallrave të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Njoftimi i plotë i Policisë, sipas rasteve:
Rasti nr. 1:
Më datën 05.09.2024, rreth orës 06:35, në brezin kufitar mes fshatit Dobrosinë SRB dhe fshatit Stublinë –RKS, është vërejtur një automjet me targa serbe, nën dyshimin se ishte duke bërë kontrabandim me mallra.
Automjeti i dyshuar, i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull, është ndaluar dhe gjatë kontrollit është vërejtur se kishte pasur të ngarkuar disa thasë, ku në brendësi kishte duhan me peshë nga 500 gramë.
Duhani ishte i llojeve të ndryshme si: Malbooro slim, Malboro silver, Sobranie dhe Tabako dhe arrinte në peshë të përgjithshme prej gjithsej 340 kg dhe për të njëjtin posedonte dokument mbi prejardhjen e mallit, ndërsa vlera e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro.
Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin kompetent, kurse malli i kontrabanduar dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejme sipas kompetencës.
Rasti nr. 2: Më datën 04.09.2024, rreth orës 18:40, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë SRB dhe fshatit Karaçevë e Poshtme – RKS, është vërejtur një automjet me targa vendore duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrollit të automjetit, i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, i njëjti kishte pasur të ngarkuara 798 shishe me birra Zajrqasko (me nga 0.5 litër) pa dokumente mbi prejardhjen e mallit.
Rasti nr. 3: Më datën 04.09.2024, rreth orës 19:50, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë SRB dhe fshatit Karaçevë e Poshtme – RKS, është vërejtur një automjet me targa vendore duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrollit të automjetit, i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, është vërejtur se kishte pasur të ngarkuara 27 pako me speca në peshë rreth 300 kg pa dokumente mbi prejardhjen e mallit. Lidhur me rastin automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor për procedurat e mëtejme.