Policia u dërgon ftesa për intervistim serbëve të dyshuar që punonin në institucionet e mbyllura paralele në veri
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se ftesa për marrje në pyetje u janë dorëzuar personave të dyshuar për falsifikim të dokumenteve në ndërtesat e Autoriteteve të Përkohshme Komunale.
“Kemi një rast të falsifikimit të dokumenteve në katër objekte që kemi hyrë, në fakt kemi bërë tetë kontrolle, në tetë vende, por me urdhër të prokurorit janë bllokuar katër objekte. Kemi një rast të falsifikimit të dokumenteve, kemi dërguar ftesa për dëgjimet në adresat e pesë personave për shkak të falsifikimit të dokumenteve janë dorëzuar në katër adresa dhe askush nuk është gjetur në njërën”, ka thënë Elshani për Kosovo-Online, trasnmeton Zeri.info.
Në pyetjen se cilat dokumente konkrete janë falsifikuar, Elshani thotë se hetimet janë duke vazhduar dhe nuk mund të flasë për detaje.
“Ne po hetojmë gjithçka që kemi gjetur në ndërtesa, kemi marrë një informatë se aty ka dokumente të paligjshme dhe tani do të shohim se për çfarë bëhet fjalë. Sot po merren provat dhe do të dërgohen në polici. Nëse dikush ka diçka private aty mund të shkojnë në polici dhe ta kërkojnë”, ka theksuar Elshani.
Meqë qytetarët janë të mërzitur për aksionin e përmendur të Policisë së Kosovës, Elshani thotë se policia ka hyrë në objekte sepse “institucionet paralele janë të përfshira”.
"Këto janë institucione paralele komunale. Ne nuk kemi hyrë në shkolla, spitale apo askund tjetër. Mendoj se situata në veri të Kosovës është e qetë, por delikate për shkak të situatës së tërësishme policore dhe gjithçka që po ndodh këtu. Por situata është e qetë. dhe marrim raste, raporte, informacione. Ne jemi çdo ditë këtu dhe ofrojmë shërbime për qytetarët. Nuk ka nevojë për shqetësim", tha ai
Elshani mohoi pretendimet e Serbisë se ka lista të serbëve për tu arrestuar.
"Nuk ka lista arresti. Të gjithë ata që janë në kërkim raportohen në disa baza, por nuk ka lista të tjera. Ne shkuam zyrtarisht në shtëpi dhe u bëmë thirrje njerëzve. Ata kanë qenë ndoshta drejtuesit e kësaj godine. Ata janë të dyshuar për këtë rast, por kjo nuk do të thotë se prokurorët nuk japin urdhër për arrestimin e tyre. Tani është koha që të dyshuarit të vijnë dhe të japin deklaratë në polici”, tha Elshani. /Zëri