Shkëmbim zjarri mes dy grupeve, policia jep detaje nga vrasja dhe plagosja e pesë personave në Prishtinë
Kryeqyteti mbrëmë u trondit nga një vrasje, që ndodhi në rrugën “Gazmend Zajmi”, në lagjen "Aktash" në Prishtinë.
Nga të shtënat me armë mes dy grupeve mbeti i vrarë një person dhe u plagosën pesë të tjerë.
Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, ka njoftuar se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, si dhe “Armëmbajtje pa leje”.
“Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore”, ka njoftuar Policia.
Përveç njësive policore, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion.
Ndryshe mbrëmë drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka deklaruar se në QKUK janë sjellë pesë të plagosur.
“Janë sjellë pesë të plagosur, të cilët po trajtohen. Tre prej tyre janë në gjendje të rëndë”, deklaroi Syla.