Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj masën e paraburgimit administratorit të “Albkings”

Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj masën e paraburgimit administratorit të “Albkings”

Kronika August 03, 2024 - 09:07

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Edin Nevzadit, i cili është i dyshuar si njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigroheshin gratë dhe vajzat.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale me datë 12.07.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit E.N iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj” thuhet në përgjigjen e zëdhënëses për informim Mirlinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I dyshuari Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryeri veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”.

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.