Kërkohet paraburgim për personin që sulmoi pesë zyrtarë policorë në Gjilan

Kërkohet paraburgim për personin që sulmoi pesë zyrtarë policorë në Gjilan

Kronika August 01, 2024 - 15:20

Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj të pandehurit Sh.H., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar’’.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Sh.H., më 31 korrik 2024, në Gjilan, me dashje i ka sulmuar pesë zyrtarë policorë, ashtu që derisa të njëjtit ishin në pikë kontroll, duke ushtruar autorizimet e tyre ligjore, afrohet i pandehuri afër tyre, ku fillon të ngacmojë kalimtarët në rrugë dhe pasi i tërhiqet vërejtja nga njëri polic duke i kërkuar që të largohet nga aty, i njëjti fillon t’i ofendojë dhe kanosë me fjalë policët, me ç’rast njëri prej tyre i afrohet dhe e njofton se prej tani është i arrestuar dhe do ta shoqërojnë në stacion policor, atëherë i pandehuri e shtyn me duar dhe e godet në fytyrë, ku si pasojë e lëndimeve ka marrë ndihmë mjekësore dhe po ashtu edhe pasi hynë në veturë e lëndon edhe një polic tjetër dhe i godet në këmbë zyrtarët policorë.

I pandehuri Sh.H., me urdhër të prokurorit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh. /Zëri