Detaje rreth rastit tragjik në Valbonë ku vdiq një alpinist nga Kosova
Foto: Facebook

Detaje rreth rastit tragjik në Valbonë ku vdiq një alpinist nga Kosova

Kronika July 28, 2024 - 11:51

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në vendin e quajtur “Maja e Thatë”, në Luginën e Valbonës ku është gjetur i pajetë një alpinist nga Kosova.

Pas më shumë se 24 orësh, ekipet e kërkim – shpëtimit kanë arritur që ta tërheqin trupin e pajetë të viktimës.

Kështu, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka dhënë detaje se si ndodhi e gjithë ngjarja, nga rrëshqitja e qytetarit të Kosovës, ndihma e parë që ia ofruan alpinistët e deri te ndërhyrja me helikopter për ta tërhequr trupin e pajetë.

“Pa humbur kohë është kërkuar nga institucionet mbështetje nga ajri me helikopter, por përgjigja ka qenë negative për arsye teknike. Shpëtuesit tanë së bashku me policë kujdestar dhe Ekipin e Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë nga Valbona janë nisur në drejtim të vendaksidentit. Duke e patur parasysh konfiguracionin e terrenit dhe mungesën e mbështetjes ajrore, evakuimi i bjeshkatarëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës”, thuhet në njoftim

“Kurse skuadra e dytë ka lëvizur në drejtim të viktimës duke e përgatitur evakuimin e tij, në mënyrë teknike deri te pozita ku pretendohej që do të ateronte helikopteri i premtuar. Edhe pas shumë thirrjeve dhe komunikimeve maratonike nuk është siguruar asnjë helikopter shtetëror që do të transportonte pajisje shtesë dhe shpëtues për realizimin e operacionit,nga komunikimet zyrtare vazhdimisht kishte justifikime të natyrave të ndryshme”.

“E gjithë vonesa e evakuimit të viktimës ishte shkaku i premtimeve boshe, jo sikur është raportuar mos qasja te viktima, shpëtuesit kanë arritur te viktime në kohë rekorde. Duke u bazuar në situatën e ndërlikuar me shumë pa qartësi dhe pengesa burokratike, ka lind nevoja që të kontaktohet kompania private VIVA Helicopters të cilët në kohë rekorde dhe shumë profesionale kanë realizuar transportimin e shpëtuesve së bashku me pajisje dhe më në fund edhe evakuimin e viktimës deri në luginën e Valbonës, ku edhe pritnin autoritet relevante”.

“Gjatë operacionit 26 orësh duke e llogaritur pranimin e thirrjes deri në kthimin e shpëtuesit të fundit SHKSHMK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri Z. Skender Durmishi, i cili në vazhdimësi ka mbajtur kontakt dhe është mobilizuar për ndërlidhje diplomatike dhe ofruar mbështetje morale e institucionale për operacionin që zhvillohej”.