Arrestohet një person për kanosje ndaj gazetarëve të portalit “Mitropol”
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se është arrestuar personi i dyshuar me iniciale F.A,. nga Vushtrria, me dyshimin se i njëjti ka kanosur gazetarët e portalit “Mitropol” nga Mitrovica.
Kërcënimi, sipas njoftimit, ka ardhur për shkak të një shkrimi të portalit për vendosjen e një mini-parku argëtues në sheshin e Vushtrrisë.
“Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I dyshuari, me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Gjatë ditës së djeshme, portali “Mitropol” ka njoftuar se gazetarët tij kanë raportuar në polici një person i cili thonë se i ka kërcënuar përmes adresës së portalit, lidhur me një postim të bërë për vendosjen e një mini-parku argëtues në sheshin e Vushtrrisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar përmes raportit 24 orësh se sa i përket rastit janë ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore.
“Ankuesit një mashkull dhe një femër kosovarë kanë deklaruar se përmes rrjetit social ishin kanosur nga një person i dyshuar mashkull. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në raportin e sotëm policor.
Lidhur me kërcënimet e pranuara, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, sipas të cilëve kërcënimet e tilla janë shqetësuese dhe të papranueshme.
“Gazetarët, kudo në Kosovë, duhet të jenë në gjendje që punën e tyre në interes të publikut, ta bëjnë pa u penguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.