Policët ia gjejnë parcelën me kanabis, 48-vjeçari nga Kruja i qëllon me armë
Një 48-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Krujës pasi ka qëlluar me armë zjarri gjatë ndërhyrjes së efektivëve në një parcelë ku ai kishte kultivuar bimë narkotike.
“Komisariati i Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Danger”. Si rezultat i tij u arrestua shtetasi A.S., 48 vjeç, banues në Arrameras”.
Kontrolli i policisë u krye në vendin e quajtur Kodër Bubq dhe u sekuestruan 64 bimë kanabis.
“Gjatë kontrollit në Kodër Bubq, është konstatuar një parcelë ku u gjetën 64 bimë të dyshuara narkotike kanabis. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në parcelë, shtetasi A. S. ka qëlluar në ajër, me armë zjarri”.
Uniformat blu gjatë aksionit sekuestruan në banesën e të arrestuarit, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, një shkop bejsbolli dhe një përforcues grushti.