Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.H. dhe I.I., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” .
Sipas aktakuzës, nga data 04.04.2022 e deri më datë 26.01.2024 në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë - duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, D.H., në pozitën e bashkëpunëtorit profesional në Zyrën e ekzekutimit të sanksioneve penale, si dhe I.I., në pozitën e referentit në Zyrën e ekzekutimeve të sanksioneve, në bashkëkryerje nuk i përmbushin detyrat zyrtare, me qëllim të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që me dashje nuk i kanë dorëzuar, duke i fshehur urdhëresat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë nëntë (9) lëndë, të cilat kanë qenë dashur të dërgohen për ekzekutim duke i mundësuar të dënuarve, t’i shmangen mbajtjes së dënimit me burg, apo kryerjes së pagesave në emër të dënimit të shqiptuar në të holla, duke i shkaktuar dëm sistemit gjyqësor.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /Zëri