20 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen në Hajvali

20 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen në Hajvali

Kronika July 25, 2024 - 14:26

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Kryeziut, duke e dënuar me dënim unik prej 20 vjetësh burgim për vrasjen e V.Xh., në dhjetor të 2021-s, në Hajvali.

Aktgjykimi ndaj Kryeziut u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri Kryeziu ngarkohej e së bashku me të miturin A.K., pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me tani të ndjerin V.Xh, me dashje që ta privojë nga jeta, në oborrin e shkollës në Hajvali e kishin therur me thika në trup e që si pasojë e plagëve të marra Xh. kishte vdekur në QKUK.

Gjykatësi Shyti tha se i akuzuari Kryeziu për “Vrasje” dënohet me 19 vjet e 6 muaj burgim, kurse për “Armëmbajtje pa leje” me një vit burgim. Ndaj tij Gjykata shpalli dënim unik me 20 vjet burgim.

Ndryshe, në fjalën përfundimtare, prokurori Arben Hoti ka bërë rikualifikimin e cilësimit juridik të kësaj çështje penale nga “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje në veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, nga Neni 172, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal.

Sipas aktgjykimit, dënimi i shqiptuar me burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Po ashtu, atij i vazhdohet masa e paraburgimit derisa ky aktgjykim të marrë formën e prerë por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim. Urdhërohet konfiskimi i thikës me gjatësi 6 cm.

Po ashtu, i akuzuari u obligua që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 eurove dhe shumën prej 50 eurove për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar u udhëzua në kontest juridiko-civil.

Ndryshe, ricilësimin juridik, Prokuroria e ka bërë duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme sipas të cilit gjykata duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të të miturit A.K. (i cili është dënuar si bashkëkryerës në procedurën për të mitur) kishte aprovuar kërkesën dhe kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe atë Gjykatës Themelore, me të cilët i mituri fillimisht ishte gjykuar për vepër penale të “Vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje, mirëpo Supremja kishte bërë ricilësimin e kësaj vepre penale në “Vrasje” nga Neni 172, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së.

Andaj, në bazë të kësaj, Prokuroria ka vlerësuar se meqenëse ka të bëjë me çështjen e njëjtë vetëm se procedura penale për Kryeziun është zhvilluar si madhor, atëherë ricilësimi i veprës penale ka karakter detyrues edhe për të pandehurin Kryeziu.

Ndryshe, për veprën penale “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, Kryeziu kishte pranuar fajësinë më 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar.

Kurse për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor të vitit 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Në aktakuzës thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh, në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre duke i rënë rrugës më të shkurtë në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku te oborri i shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh me falët “çka po më kqyr”.

Ndërsa tani i ndjeri V.Xh, thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metra, dhe të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh “ik se ka thikë” dhe në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin A.K e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli, ku i njëjti është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin me të miturin A., kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., që të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.XH me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V., mirëpo ata kanë vazhduar që ta ndjekin dhe derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim duke i thënë “Ik se ta bajna ma zi se atina”.

Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur kur përnjëherë ishte rrëzuar për toke dhe ka qenë i tërë i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën” e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.

Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohej se në bashkëkryerje me të miturin A.K., ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrim “Leatherman Sidekick” të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si ne dispozitivin nën 1 të aktakuzës dhe të cilën policia e kanë gjetur dhe sekuestruar nga pandehuri Shkumbin Kryeziu gjate arrestimit të tij.

Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Image
Shkumbin Kryeziu