Një i vdekur dhe katër të lënduar në një aksident trafiku në autostradën “Arbën Xhaferi”
Një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti në autostradën “Arbën Xhaferi” pasditen e sotme.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Ai ka thënë se viktima është një 44-vjeçar, vdekjen e së cilit e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes, derisa të lënduarit janë transportuar për në QKUK.
Sipas Hoxhës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00 në autostradën “Arbën Xhaferi”, saktësisht në kilometrin e 15-të Lipjan-Ferizaj dhe se në aksident ishin të përfshirë dy automjeteve transportuese (kombi) njëri në lëvizje, ndërsa tjetri i ndalur në shiritin emergjent.
“Ekipet relevante policore kanë dal në vendin e aksidentit, përfshirë edhe ato të hetimeve të cilat po punojnë në identifikimin e shkaqeve të aksidentit dhe rrethanave që e karakterizojnë. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori”, ka treguar Hoxha për Zeri.info.
Ai ka kërkuar nga të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor.
“Humbja e jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë së drejtuesve të automjeteve po behët gjithnjë e më shqetësuese, andaj kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më vigjilent dhe të respektojnë rregullat në trafikun rrugor. Respektimi i shenjave në trafik dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë është domosdoshmëri për një siguri më të madhe rrugore”, tha ai.
Tutje, Hoxha bëri të ditur se do të tregohen më rigoroz ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat dhe ligjet e trafikut.
“Megjithatë, Policia e Kosovës po ndërmerr dhe do të ndërmarr në vazhdimësi masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me rregullat dhe ligjet e trafikut dhe në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në rrugë”, u shpreh Hoxha. /Zëri