Lirohen nga akuza gjashtë mjekët e akuzuar në rastin “Stenta 2”

Lirohen nga akuza gjashtë mjekët e akuzuar në rastin “Stenta 2”

Kronika July 24, 2024 - 12:06

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj gjashtë mjekëve të akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 2”.

Në këtë rast ku procedura ishte veçuar nga të akuzuarit e tjerë ngarkoheshin mjekët Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Marrje ryshfeti”.

Aktgjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arrni tha se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës. Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të tij.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri. Kjo pjesë e veçuar tani trajtohet nga gjykatësi Ngadhnjim Arni.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 shtator 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 36 të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Stenta 2”, lidhur me akuzat për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Marrje ryshfeti”. Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E. ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtët kanë vdekur.

Po ashtu, rasti ishte veçuar edhe ndaj Daut Goranit, më 16 gusht 2023, pasi mbrojtësi i tij, avokati Mustafë Radoniqi, kishte njoftuar se i njëjti nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore, i cili po ashtu është liruar nga akuza, më 4 dhjetor 2023.