Tetë të arrestuar, Policia jep detaje për aksionin kundër dallavereve me patenta shoferi
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, sot kanë bastisur 10 lokacione të ndryshme, tetë prej tyre në regjionin e Pejës dhe dy në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se janë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “Marrja e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit në sektorin privat” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga ana e të dyshuarve.
Sipas Policisë, personat e dyshuar, gjashtë prej tyre persona zyrtarë nga Departamenti i Patentave të Shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentave të shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.
Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të Njësisë së Patentë Shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së, transmeton Zeri.info.
Po ashtu tre të dyshuar pronarë të autoshkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim.
“Gjatë operacionit policor të bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: shtatë mijë e tetëqind euro 7800 €, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve. Lidhur me rastin personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës, 6 prej tyre u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore. Për tre nga të dyshuarit e përfshirë në rast të cilët nuk janë hasur, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri