Shpërthimi i eksplozivit afër Ujmanit, Policia identifikon një person të dyshuar, në shtëpi i gjenden radiolidhje
Të dielën granatë dore ka shpërthyer në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, gjatë ditës njoftoi se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy vetura, njëra me targa vendore, ndërsa tjera amerikane.
Sipas informatave të autoriteteve të sigurisë, granata është hedhur në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale afër Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur.
Ai ka thënë se në kuadër të hetimeve, policia e ka bastisur një shtëpi rreth orës 21:00 në zonën e Zubin Potokut.
“Gjatë bastisjes, policia ka hasur dhe ka sekuestruar në mes tjerash edhe tri radiolidhje dhe një veturë”, ka thënë Elshani.
Ai ka thënë se nuk është arrestuar askush, ndonëse policia e ka identifikuar një person, për të cilin ekziston interes për intervistim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se, “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”.
“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës”, ka thënë Kurti, duke u zotuar për sundim dhe rend publik në gjithë Kosovën.
“Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë mes tjerash Kurti, përmes një postimi në Facebook.