Autoritetet serbe pretendojnë se personi që vrau policin është i arratisuri nga Burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi
Mediat serbe raportojnë se personi, i cili po kërkohet për vrasjen e policit serb në Lloznicë, është i arratisuri nga burgu i Kosovës, Faton Hajrizi, i cili ka përdorur dokumentet e vëllait të tij, Artan Hajrizi.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm në pikëkalimin kufitar në Lloznicë të Serbisë pranë kufirit me Bosnjë e Hercegovinën, policia ndaloi për kontroll një veturë të markës “Mercedes”, brenda të cilës gjendeshin dy persona.
Në një moment një person doli nga vetura dhe shtiu mbi një polic serb, që e qëlloi në gjoks dhe nuk i mbijetoi plagëve, transmeton Telegrafi.
Ai gjithashtu shtiu edhe mbi një zyrtar tjetër policor, i cili mbeti i plagosur, kurse i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga ministria e Brendshme e Serbisë thonë se në veturën e të dyshuarit është gjetur një pasaportë e Kosovës, si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë.
Për kërkimin e të dyshuarit për sulm, autoritetet serbe kanë ngritur në ajër dronë e helikopterë si dhe kanë kërkuar ndihmë e shumë njësive të policisë kufitare në Serbi.
Deri më tani Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ende nuk ka reaguar.