E plagosi aksidentalisht në kokë familjarin e tij 16-vjeçar, arrestohet dhe suspendohet nga puna polici në Istog

E plagosi aksidentalisht në kokë familjarin e tij 16-vjeçar, arrestohet dhe suspendohet nga puna polici në Istog

Kronika July 16, 2024 - 10:42

Një incident zjarri ka ndodhur pas mesnate në fshatin Dubravë të Istogut, një polic ka qëlluar aksidentalisht një të mitur në kokë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët konfirmojnë se i mituri është plagosur në kokë.

“Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut, ku një person ishte plagosur në kokë. Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes, kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore, si dhe prokurori kujdestar”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16-vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë.

“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor, i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare”.

Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, si dhe është suspenduar nga detyra.

Hetuesit e IPK-së së bashku me Njësitin e Forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.