Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin e 26-vjeçarit në Prizren, që u ther për vdekje

Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin e 26-vjeçarit në Prizren, që u ther për vdekje

Kronika July 09, 2024 - 10:11

Është arrestuar edhe një person si i dyshuar në rastin e vrasjes së 26-vjeçarit në Prizren.

Policia, përmes raportit ditor, ka njoftuar se ai është dërguar në mbajtje.

“Lëndim i rëndë trupor – Prizren, 06.07.2024 - 23:50. Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Ndërkaq dje Policia e Kosovës ka thënë se i arrestuari, H.B., 29 vjeç, dyshohet për “Lëndim të rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

“Njësiti i Hetimeve Rajonale i Policisë në Prizren, më datën 08.07.2024, përmes rrugëve operative ka arritur që të lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin: H.B. (viti i lindjes 1995), mashkull kosovar shqiptar)”.

“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjtit ka qenë i përfshirë në një rast ‘Lëndim i rëndë trupor’, nga Neni 186, paragrafi 5, ‘Mosdhënia e ndihmës’, Neni 188, paragrafi 4, si dhe ‘Moslajmërimi i veprave penale ose kryeseve të tyre’, Neni 378, par. 1., pika 1.3., i cili ka ndodhur më datën 06.07.2024, në lagjen Bazhderana në Prizren. I dyshuari është shoqëruar në SRH - Prizren, ku në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar. I dyshuari ka qenë në dijeni për veprën penale, si dhe kryerësin e veprës penale, i njëjti nuk e ka lajmëruar veprën penale, si dhe kryesin e saj, po ashtu nuk i ka ofruar ndihme viktimës. Në lidhje me rastin në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një automjet me targa vendore, pronë e të dyshuarit H.B.”.

Ai është ndaluar për 48 orë.

Auron Thaqi të shtunën është dërguar në Spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është gjetur i shtrirë në rrugë, i sulmuar me thikë nga persona të paidentifikuar. Sipas Policisë ata e kanë sulmuar, e kanë hedhur nga vetura në rrugë dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

I rëndë trupor - lagjja “Bazhderhane”, Prizren 06.07.2024 – 23:50. Viktima mashkull kosovar, është dërguar në Spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi është gjetur i shtrirë në rrugë i sulmuar me thikë (mjetë të mprehtë) nga persona ende të paidentifikuar të cilët pasi e kanë sulmuar, nga vetura e tyre e kanë hedhur në rrugë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti vazhdon të hetohet”.

Mbrëmjen e së dielës, 26-vjeçari ka vdekur në QKUK. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

“Sot, më datën 07.07.2024, rreth orës 21:00, nga Reparti Intensiv i QKUK-s Policia është njoftuar se viktima A.Th., mashkull, 26-vjeçar, ka vdekur”, tha ai të dielën.

Ndërsa dje në raportin e Policisë u bë e ditur se është arrestuar një person, shtetas i Turqisë.

“Lëndim i rëndë trupor - Prizren / 06.07.2024 – 23:50. Në lidhje me rastin, më 07.07.2024, gjersa ishte në trajtim mjekësor në QKUK, ka vdekur viktima mashkull kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull, shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Për rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren.

Zëdhënësja Fitore Mehmeti, në një përgjigje për gazetën Express, dje tha se i dyshuari E.A. është në ndalim 48 orësh për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Ajo tha se brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Lidhur me motivin e ngjarjes dhe nëse ka të dyshuar tjerë, Mehmeti tha se nuk mund të japë detaje në këtë fazë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari me inicialet E.A. (shtetas turk), i cili me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48-orësh. I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’, nga Neni 186, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të dyshuarin E.A. Prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje të tjera”, tha Mehmeti.