Dy fajdexhinj dënohen me dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 35 mijë euro gjobë
Foto: Laura Hasani

Dy fajdexhinj dënohen me dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 35 mijë euro gjobë

Kronika July 05, 2024 - 19:12

Remzi Jahiri është dënuar me 1 vite e gjysmë burgim dhe 25 mijë euro gjobë pasi akuzohet për fajde përderisa Hilmi Dudi është dënuar me 1 vit burgim dhe 10 mijë euro gjobë pasi ngarkohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini me anëtarë gjykatësit, Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari.

Remzi Jahiri u dënua për veprën penale “fajde” në vazhdimësi ndërkaq Dudi për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdes”.

Po ashtu gjykata konfiskoi sendet nga të akuzuarit sipas vërtetimit mbi sekuestrimin e atyre sendeve.

jithashtu gjykata njoftoi palët e pakënaqura për të drejtën e ankesë na afat prej 30 ditësh pasi që aktgjykimi të pranohet tek palët në formë të shkruar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 22 prill 2022, Remzi Jahiri ngarkohet se ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Valon Maliqeviq, Drilon Maloku, Liridon Berisha dhe Valon Krasniqi, duke u dhënë para me fajde në shuma të ndryshme, me kamatë mujore e duke pranuar para në shuma dukshëm joproporcionale.

Ndërsa, për të akuzuarin Hilmi Dudi thuhet se nga viti 2018 deri më 24 tetor 2019, në restorantin e “Petrol Company” në Fushë-Kosovës, ka ndihmuar të akuzuarin Jahiri në dhënien dhe marrjen e parave për të dëmtuarit e lartcekur, në atë mënyrë që sa herë të dëmtuarit kanë marrë paratë si në dispozitivin e aktakuzës, si dhe kanë kthyer paratë nga i akuzuari Jahiri, prezent ka qenë edhe i akuzuari Dudi. /BetimipërDrejtësi