Edhe nga dy muaj paraburgim Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh

Edhe nga dy muaj paraburgim Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh

Kronika July 05, 2024 - 11:36

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj paraburgimin dy të dyshuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës suaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve B.Sh. dhe M.Q., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, më datë 05.07.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit dy të pandehurve u është vazhduar në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin”, tha ajo.

Ndryshe, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani janë arrestuar para katër javë nën dyshimin për spiunazh. Të njëjtët dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.

Policia kishte njoftuar se hetimet kanë nisur qysh në vitin 2023.

Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gaz-maska ushtarake, si dhe shumë dëshmi të tjera.