Arrestohet për marrje ryshfeti një zyrtar komunal në Mitrovicë

Arrestohet për marrje ryshfeti një zyrtar komunal në Mitrovicë

Kronika July 04, 2024 - 14:46

Një zyrtar komunal i Komunës së Mitrovicës së Jugut është arrestuar nga njësia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës.

Zyrtari me inicialet B.S. është arrestuar pasi dyshohet se ka kërkuar ryshfet nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një granti që lidhet me riatdhesimin, transmeton Zeri.info.

Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit (NJHKEK) – Mitrovicë Jug, pas një informate (denoncimi) lidhur me dyshimin se personi i dyshuar B.S., (viti i lindjes 1961, mashkull kosovar), në cilësi të personit zyrtar komunal ka kërkuar ryshfet nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një granti që lidhet me riatdhesimin.

Hetuesit policorë nga NJRHKEK - Mitrovicë Jug, në koordinim me Prokurorinë, më 04.07.2024 rreth orës 12:20, në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin, pasi i njëjti ka marrë ryshfetin në shumën prej 200 eurove.

Hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, Policia ka pasur urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Rënda.

Lidhur me këtë është iniciuar rasti “Marrja e ryshfetit”, është njoftuar prokurori i çështjes, i cili të dyshuarit ia ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh.