Kërkohet paraburgim për nënën që dyshohet për vrasje të foshnjës gjatë lindjes

Kërkohet paraburgim për nënën që dyshohet për vrasje të foshnjës gjatë lindjes

Kronika July 02, 2024 - 13:20

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj nënës që dyshohet për vrasje të foshnjës gjatë lindjes në Podujevë.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” Laureta Ulaj, zëdhënëse e kësaj Prokurorie.

“Ju njoftojmë se prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj XH.L., për shkak të veprës penale ‘Vrasja e foshnjës gjatë lindjes’, sipas KPRK-së”, konfirmoi Ulaj.

Të hënën, Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, njoftoi se një grua shtatzënë dyshohet se ka abortuar në mënyrë të paligjshme të dielën në Podujevë dhe më pas e njëjta ka kërkuar trajtim mjekësor në QKUK.

Lidhur me rastin u bë e ditur se janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Rasti është cilësuar “Vrasje e foshnjës gjatë lindjes”.

“Raportohet se në QKUK ka kërkuar trajtim mjekësor e dyshuara femër kosovare, e cila dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftim.