Policia konfiskon si prova materiale posterat e Vuçiqit, që u vendosën në veri

Policia konfiskon si prova materiale posterat e Vuçiqit, që u vendosën në veri

Kronika July 01, 2024 - 11:58

Policia e Kosovës, përmes njoftimit, ka dhënë detaje lidhur me vendosjen e posterave me fotografinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në veri të Kosovës.

Policia përmes raportit 24-orësh bën të ditur se posterat janë larguar nga vendet ku ishin vendosur dhe të njëjtët janë marrë si prova materiale.

Rasti është cilësuar si “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

“Është raportuar se persona të panjohur nëpër mure të ndërtesave kanë vendosur pamflete me mbishkrime. Pamfletet janë tërhequr nga vendet ku janë vendosur si provë materiale. Rasti nën hetime”, ka njoftuar Policia.

Posterat me fotografinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ishin vendosur të dielën në katër komunat në veri të Kosovës.

Të njëjtat ishin vendosur në muret e ndërtesave, shtëpive, lokaleve dhe hapësira të tjera publike.

Përveç fotografisë së Vuçiqit në to shkruhej edhe mesazhi “Komandant Suprem, ju presim”.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili paralajmëroi se nëse Vuçiqi është nisur drejt Kosovës pa leje përkatëse, do të arrestohet.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi ministri në profilin e tij në Facebook.