Shtohen rastet e raportimit të dhunës në familje, arrestohen disa persona
Foto: Ilustrim

Shtohen rastet e raportimit të dhunës në familje, arrestohen disa persona

Kronika July 01, 2024 - 10:40

Kohën e fundit dukshëm është shënuar rritje e dhunës në familje, derisa “cak” i sulmit në të shumtën e rasteve është gjinia femërore.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar një sërë incidentesh të dhunës në familje në disa komuna të Kosovës, raporton Zeri.info.

Në një nga rastet e raportuara në Obiliq, një femër ka denoncuar se u sulmua fizikisht dhe psikikisht nga një i dyshuar mashkull kosovar. Autoritetet kanë arrestuar të dyshuarin, ndërsa viktimën e kanë strehuar dhe i është ofruar trajtim mjekësor.

Në një tjetër rast ka ndodhur në Hajvali, një femër ka raportuar se u sulmua fizikisht pas një mosmarrëveshjeje, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është në pritje të procedurave ligjore të rregullta.

Në Lipjan, një incident i ngjashëm ka çuar në arrestimin e një tjetër të dyshuari mashkull, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj një viktime tjetër.

Situata ka qenë e ndjeshme edhe në Suharekë, ku janë arrestuar dy të dyshuar, pas një konfrontimi fizik, gjatë së cilës është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.

Në Prizren, dy të dyshuara femra janë përfshirë në një incident të dhunshëm ndaj një viktime mashkull dhe rasti po procedohet sipas ligjit.

Në Gjakovë, një konflikt midis një femre dhe një mashkulli ka përfunduar me arrestimin e femrës dhe trajtimin mjekësor të saj, ndërsa mashkulli është larguar nga vendi i ngjarjes.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e këtyre ngjarjeve dhe për të marrë masa të nevojshme për mbrojtjen e viktimave dhe zbatimin e ligjit.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Obiliq, 23.06.2024, NN. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar më datën e lartcekur ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Hajvali, 30.06.2024, 11:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshjeje e kishte sulmuar fizikisht. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Lipjan, 30.06.2024 - 19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Suharekë, 30.06.2024, 10:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi pas një mosmarrëveshjeje kanë kanosur dhe sulmuar njëri-tjetrin. Në konsultim me prokurorin, është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarve, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe një fishek. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Dragash, 29.06.2024 - 14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Prizren, 30.06.2024-17:05. Dy të dyshuarat femra kosovare kanë ushtruar dhunë në familje ndaj viktimës mashkull kosovar. Palët e përfshira në rast janë intervistuar. Me vendim të prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.

Gjakovë, 30.06.2024, 08:00. Është raportuar se dy të dyshuar, një femër kosovare dhe një mashkull kosovar, në gjendje të dehur janë përleshur në mes vete. E dyshuara është arrestuar dhe e njëjta ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.