Policia: Kremtimi i Vidovdanit në Gazimestan kaloi pa incidente, një person u shoqërua
Foto: Laura Hasani

Policia: Kremtimi i Vidovdanit në Gazimestan kaloi pa incidente, një person u shoqërua

Kronika June 28, 2024 - 17:49

Policia e Kosovës ka njoftuar se kremtimi i Vidovdanit në Gazimestan ka kaluar pa incidente, përveç shoqërimit të një personi për intervistim, sipas procedurave ligjore.

Në Gazimestan sot, 28 qershor, janë mbledhur qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit për të shënuar festën, e Vidovdanit.

Policia e kontrolloi secilin pjesëmarrës, duke ua larguar flamujt e bluzat provokuese.

Autoritetet policore përmes një komunikate kanë thënë se kanë marrë të gjitha masat koordinuese që ky manifestim të mbahet i qetë dhe pa incidente.

“Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuar policore në teren nuk është raportuar asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore. Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë”.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin e Policisë.