Policia në Pejë me aksion ndaj motoçiklistëve kundërvajtës, sekuestron 190 motoçikleta
Foto:Ilustrim

Policia në Pejë me aksion ndaj motoçiklistëve kundërvajtës, sekuestron 190 motoçikleta

Kronika June 28, 2024 - 14:58

Policia në Pejë ka hartuar planin operativ “Motoçiklistët kundërvajtës”, i cili është realizuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe Stacioni Policor në Pejë.

Në këtë plan, i cili është duke vazhduar edhe në ditët në vijim, janë të angazhuar zyrtarë nga të gjitha njësitet e Drejtorisë Rajonale në Pejë, ku gjatë këtij muaji janë sekuestruar 190 motoçikleta, transmeton Zeri.info.

“Gjatë muajit qershor nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe Stacioni Policor Pejë janë sekuestruar: njëqind e nëntëdhjetë (190) motoçikleta të llojeve të ndryshme, ndërsa për kundërvajtësit janë lëshuar fletëgjoba për kundërvajtjet: mosposedimi i lejes për vozitje, mosposedimi i kategorisë përkatëse, ngasje e mjetit pa regjistrim, mosmbajtje e helmetës dhe kundërvajtje të tjera.

Aktivitete dhe detyra të shumta policore, që janë të planifikuara në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, do të vazhdojnë në mënyrë intensive në ditët në vijim, pa asnjë tolerim ndaj secilit kundërvajtës. Krejt kjo në të mirë të rregullimit të komunikacionit, si dhe parandalimit të aksidenteve”, thuhet në njoftimin e Policisë në Pejë, e cila kanë apeluar te të gjithë pjesëmarrësit ne komunikacion të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit. /Zëri