59 vjet burgim ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Gropa”

59 vjet burgim ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Gropa”

Kronika June 28, 2024 - 13:37

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur si “Gropa”, duke i dënuar me 59 vjet burgim (së bashku).

Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, pasi më 25 qershor u mbajt seanca për caktimin e lartësisë së dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, ku ishin sekuestruar rreth 67,5 kilogramë heroinë dhe 25,5 kilogramë narkotikë të llojit morfinë dhe kodein, akuzoheshin: Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Zafer Serkan, Valdrin Neziri, Besim Hyseni, Faruk Diri, Avdulvehap Diri, Murat Yilmaz, Halit Irez, Sylejman Yuruk, Mufail Shabani, Sefedin Dernjani, Atif Shabani, Selman Shabani dhe Samir Hyseni.

Më 29 maj 2023 është veçuar procedura për të akuzuarit Atif Shabani, Samir Hyseni, Selman Shabani dhe Valdrin Neziri, e të cilët sipas marrëveshjes për pranim fajësie që është arritur me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, u dënuan me 22 muaj burgim dhe 10 mijë e 900 euro gjobë (së bashku).

Kurse, të premten u shpall aktgjykimi ndaj 11 të akuzuarve tjerë, sipas të cilit Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Zafer Serkan dhe Sylejman Yuruk, u dënuan me nga 7 vjet burgim (secili veç e veç).

Ndërsa, të akuzuarit Faruk Diri, Murat Yilmaz, Avdulvehap Diri dhe Halit Irez u dënuan me nga 5 vjet burgim (secili veç e veç).

I akuzuari Besim Hyseni u dënua me 4 vjet burgim. Kurse, Sefedin Dernjani dhe Mufail Shabani, u dënuan me nga 3 vjet e 6 muaj burgim (secili veç e veç).

Gjykatësi Bytyqi bëri të ditur se në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktgjykimit, substancat narkotike e llojit heroinë e pastër 67.5 kg. dhe 25.5 kg heroinë e papërpunuar me përbërje morfinë dhe kodein, si dhe mjetet për prodhimin, shpërndarjen apo transportin e tyre, konfiskohen në mënyrë të përhershme.

Të akuzuarit janë obliguar edhe me shpenzimet e procedurës, ashtu që për paushallin gjyqësor (secili veç e veç) obligohen të paguajnë shumën prej 100 euro në afat prej 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, ata obligohen që në emër të kompensimit të viktimave të krimit (secili veç e veç) të paguajë shumën prej 50 euro në afat prej 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës të përpiluar më 10 shkurt 2023 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, të pandehurit Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Zafer Serkan, Valdrin Neziri, Besim Hyseni, Faruk Diri, Avdulvehap Diri, Murat Yilmaz, Halit Irez dhe Syleyman Yuruk, thuhet se nga muaji prill 2022, e deri më 23 maj 2022, pa autorizim në shtëpinë e të pandehurit Besim Hyseni në fshatin Firaj, Komuna e Shtërpcës dhe në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani, në rrugën “Suksesi”, në fshatin Varosh, Komuna e Ferizajt, kanë prodhuar substanca narkotike të llojit heroinë dhe atë 67.5 kilogramë, ndërsa 25.5, kilogramë nuk kishin arritur ta prodhonin.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Valdrin Neziri dhe Zafer Serkan, kishin organizuar transportin e lëndës së parë të narkotikut, të cilën e kishin sjellë nga Irani përmes Turqisë-Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilën e kishin vendosur në një depo në rrugën “Astrit Bytyqi”, pastaj kishin improvizuar një laborator për prodhimin e heroinës në shtëpinë e të pandehurit Besim Hyseni në fshatin Firaj dhe kishin filluar të furnizohen me vegla, të cilat i kërkonte i pandehuri Avdulvehap Diri.

Tutje, sipas aktakuzës, më 7 maj 2022, në Kosovë kishte ardhur edhe i pandehuri Zafer Serkan, i cili gjatë qëndrimit pesëditor, përveç takimeve të përditshme me të pandehurit Sahit, Afrim dhe Avdulvehap, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të kushteve për prodhimin e heroinës, më 8 maj 2022, së bashku me Sahitin ishte takuar edhe me personin me emrin Valon Sylqa, nga i cili kishin siguruar pesë bidona, secili me peshë prej 50 litra, si dhe 8 bidona, secili me peshë prej 10 litra të mbushur me likuid të lëngshëm, (prekusor për prodhimin e heroinës), e të cilët pas dy dite me dy automjete i kishin marrë të pandehurit Afrim dhe Sefedin Dernjani, të cilat i dërgonin në fshatin Firaj.

Tutje, sipas aktit akuzues, më 13 maj 2022, në Kosovë kishte ardhur i pandehuri Faruk Diri, ndërsa më 15 maj 2022, në Kosovë kishin ardhur edhe të pandehurit Halit Irez dhe Murat Yilmaz, dhe më 18 maj 2022, kishte filluar procesi i prodhimit të heroinës, mirëpo më 20 maj 2022, pasi të njëjtit kishin dyshuar se policia iu kishte vënë në gjurmë, të pandehurit Afrim, Besim, Valdrin, nga Firaja kishin tërhequr narkotikun të cilët deri në atë kohë e kishin prodhuar dhe pjesën tjetër të papërpunuar dhe i kishin dërguar në fshatin Varosh, në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani.

Më tej thuhet se, pasi në Kosovë kishin ardhur sërish të pandehurit Zafer Serkan dhe Sylejman Yuruk, të cilët ishin takuar me të pandehurit Sahit, Afrim dhe Avdulvehap, ky i fundit pas këtij takimi pastaj së bashku me Faruk Diri dhe Murat Yilmaz kishin rifilluar prodhimin e heroinës.

Kurse më 23 maj 2022, sipas aktakuzës, policia kishte bërë bastisjen e shtëpisë së të pandehurit Mufail Shabani, ku janë gjetur sasia prej 67.71 kilogramë narkotikë të llojit heroinë, ndërsa më 30 gusht 2022, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Doganaj ishte gjetur edhe një sasi prej rreth 25.5 kilogramë narkotik të papërpunuar gjegjësisht, me përbërje morfinë dhe kodein.

Me këtë rast, të lartcekurit ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga Neni 268, par. 1 dhe par. 4 lidhur me Nenin 275, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës i pandehuri Sefedin Dernjani, me dashje dhe dijeni të aktivitetit kriminal që kryhej që nga 27 prill 2022, kishte ofruar ndihmë logjistike në procesin e prodhimit të heroinës, duke u përkujdesur që të gjejë depon ku fillimisht ishin vendosur thasët në të cilët kishte qenë e vendosur edhe lënda e parë bazë e heroinës, kishte kontraktuar personat për zbrazjen e thasëve të çajit, në të cilët kishte qenë e vendosur lënda bazë e heroinës, po ashtu së bashku me të pandehurin Afrim Dernjani në Aeroportin e Shkupit e kishte marrë të pandehurin Abdylvehap Diri, kishte marrë me qira automjet, i cili ishte shfrytëzuar nga i pandehuri Afrim Dernjani.

Gjithashtu, thuhet se ata kishte kontraktuar edhe dëshmitarin Agron Berisha, me të cilin së bashku edhe me të pandehurin Afrim Dernjani dhe personin me emrin Samet Dernjani, në Pejë kishin marrë bidonat të mbushur me prekusor për prodhimin e narkotikëve.

Me këtë rast, i pandehuri Dernjani ngarkohej se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale, Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par. 1 dhe par. 4 lidhur me Nenin 275, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Mufail Shabani, që nga 20 maj e deri më 23 maj 2022, në rrugën “Suksesi”, në fshatin Varosh, me dashje dhe dijeni të plotë të aktivitetit i cili do të kryhej, kishte lëshuar me qira katin e dytë të shtëpisë së tij, të pandehurit Sahit Shabani, që shfrytëzohej si laborator për prodhimin e heroinës, në të cilën shtëpi ishte bërë përpunimi final i narkotikëve, në të cilin përpunim kishin marrë pjesë të pandehurit Abdylvehap Diri, Murat Yilmaz dhe Faruk Diri, ku edhe ishte gjetur dhe sekuestruar sasia e narkotikëve prej 67.5 kilogramë heroinë.

Ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par. 1 dhe par. 4 lidhur me nenin 275, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Atif Shabani më 22 maj 2022, pasi të pandehurit Sahit Shabani dhe Afrim Dernjani i kishin nxjerrë nga automjeti “Opel Astra” dy thasë të cilët i kishin marrë në fshatin Firaj, me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, fillimisht rreth orës 10:44, kishte marrë dy thasë të bardhë të cilët i kishte vendosur në një karrocë, e pastaj i kishte dërguar tek shtëpia e të pandehurit Mufail Shabani, ndërsa rreth orës 16:15 nga shtëpia e tij kishte dërguar me karrocë në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani, një bombolë gazi dhe një enë të madhe.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga Neni 386, par. 2 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Selman Shabani akuzohej se më 22 maj 2022, në mbrëmje, me kërkesë të të pandehurit Sahit Shabani, me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, ka shkuar në shtëpi dhe nga kati i dytë babai i tij Mufail Shabani, ku kishte qenë duke prodhuar narkotikë, shtetasit turk, i cili kishte marrë tre thasë, i kishte vendosur në karrocë, dhe i kishte dërguar sërish te Sahit Shabani.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga Neni 386, par. 2 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri Samir Hyseni ngarkohej se me qëllim të fshehjes së provave në procedurën gjyqësore, më 20 maj 2022, kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Firaj dhe me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, kishte filluar ta pastrojë vendin, ku kanë qëndruar shtetasit turq, si dhe t’i largojë dhe djeg disa nga gjësendet të cilat ishin përdorur për prodhimin e narkotikëve.

Me këtë rast, i pandehuri Hyseni akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga Neni 386, paragrafi 2 të KPRK-së.