Mbi 20 vjet burgim katër të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit

Mbi 20 vjet burgim katër të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit

Kronika June 28, 2024 - 10:06

Gjykata Themelore ka dënuar me mbi 20 vjet burgim katër të akuzuarit në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Gjykata të akuzuarit Nedeljko Spasojveiq i shqipton dënim me burgim prej katër vjetësh e gjashtë muajsh. Të njëjtit do t'i llogaritet edhe koha kur ka qëndruar në paraburgim dhe burgim shtëpiak. Të njëjtit i shqipton edhe gjobë prej katër mijë e 500 eurove.

“Të akuzuarin Marko Rushiq për veprën penale ‘Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar’ lidhur me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej tetë vjetësh. Gjykata të akuzuarit po ashtu i shqipton dënim me gjobë prej 10 mijë eurove. Të akuzuarit Dragisha Markoviq për veprën penale ‘Bashkëkryerje’ dhe ‘Keqpërdorim i pozitës’ i shqipton dënim me burgim prej 4 vitesh. Të akuzuarit Zharko Jovanoviq për veprat penale ‘Bashkëkryerje' dhe ‘Keqpërdorim i pozitës’ i shqipton dënim prej katër vjetësh. Po ashtu i shqipton dënim me gjobë në shumën prej një mijë e 500 eurove”.

Avokati Tomë Gashi ka kundërshtuar dënimin me gjobë për veprën penale, që lidhet me mbajtjen në posedim të armëve të ndryshme, të katër të akuzuarve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Gashi tha se në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-policë, e që sipas tij për vepra kaq të rënda nuk do të duhej të shqiptohej vetëm dënim me gjobë.

"Vendimi i gjykatës për dënimin e shqiptuar ka qenë në përputhje me ligjin. Por është e çuditshme që janë dënuar për vepra penale të rënda vetëm me gjobë. Një situatë e tillë nuk është normale. Policëve mund t’u mjaftojnë vetëm armët. Kjo i stimulon tjerët të mbajnë armë pa leje", shtoi ai.

Ndryshe, Ivanoviqi është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. /RTK