“Kom me të myt ty dhe vëllain”, një vit e tre muaj burgim gjakovarit që kërcënoi gruan e tij

“Kom me të myt ty dhe vëllain”, një vit e tre muaj burgim gjakovarit që kërcënoi gruan e tij

Kronika June 27, 2024 - 15:48

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.Gj., për vepër penale “Kanosja” ndaj bashkëshortes së tij.

Gjykata ka njoftuar sot se gjyqtari i çështjes, Sulltan Dobraj, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje një vit e tre muaj.

“I pandehuri A.Gj. akuzohet se më datën 26 maj 2024, rreth orës 18:30 në fshatin O. H., komuna Gjakovë, brenda marrëdhënies familjare, seriozisht e kanos të dëmtuarën / bashkëshorten e tij Xh.Gj., me të cilën është i martuar dhe ka tre fëmijë të përbashkët, në atë mënyrë që pas problemeve të vazhdueshme në mes të dëmtuarës me të pandehurin, ditën kritike, e dëmtuara kishte shkuar te familja e prindërve të saj për qëndrim, me ç’rast i pandehuri shkon aty, ku me ta takuar të dëmtuarën i drejtohet me fjalët ‘hajde se duhet mu marr vesh’, e dëmtuara refuzon duke i thënë se ‘nuk kam çka merrna vesh me ty’, më pas i pandehuri e kanos me fjalët se ‘kam me të vra’ dhe nga brezi nxjerr mjetin armën/shkrepës e duke e mbajtur në drejtimin e të dëmtuarës i drejtohet përsëri me fjalët kanosëse ‘kom me të myt ty dhe vëllain tuaj’, për çka tek e njëjta shkakton frikë dhe panik”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të akuzuarit i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

“Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet në njoftim. /Zëri