Arrestohet një serb në Leposaviq, i dyshuar për krime lufte
Foto: Zëri / Ilustrim

Arrestohet një serb në Leposaviq, i dyshuar për krime lufte

Kronika June 27, 2024 - 14:33

Një person me iniciale S.L., i nacionalitetit serb, është arrestuar sot në Leposaviq nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës në Kosovë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, pas një pune hetimore disa mujore me datë 20.06.2024 ndaj një të dyshuari të identifikuar ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale nën dyshimin e arsyeshëm se personi i dyshuar me iniciale (S.L.) duke vepruar në mënyrë individuale dhe në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës në Kosovë, në regjionin e Gjakovës (1998/1999).

“Konsultimet e fundit me prokurorin e rastit kanë rezultuar me vlerësimin qe veprimet e mëtejme hetimore të orientohen drejt sigurimit të prezencës së të pandehurit në këtë çështje penale.

Andaj, sot më 27.06.2024, Policia e Kosovës, konkretisht hetues nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës (DHKL), në bashkëpunim me agjentë nga AKI dhe të mbështetur nga njësit policore të rendit të DRP Mitrovicë veri kanë realizuar një plan taktik, me ç’rast në Leposaviq është ndalu dhe arrestuar i dyshuari m/s me iniciale (S.L.)”, thuhet në njoftim.

Të njëjtit me urdhër nga organet e drejtësisë i është bastisë shtëpia në Leposaviq, ku hetuesit kanë konfiskuar dëshmi relevante, të cilat do të trajtohen gjatë procedurës së mëtejme hetimore.

Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se i dyshuari është sjellë në ambientet policore për procedura të mëtejme të intervistimit. /Zëri