Dita e dytë e gjykimit sjell dëshmi të reja lidhur me vrasjen e Shqiponja Isufit

Dita e dytë e gjykimit sjell dëshmi të reja lidhur me vrasjen e Shqiponja Isufit

Kronika June 11, 2024 - 21:41

Prej mëngjesit të së hënës në Gjykatën e Qarkut në Baden AG ka nisur procesi gjyqësor ndaj një 49-vjeçari për vrasje. Ai akuzohet se ka vrarë gruan e tij 41-vjeçare në Bergdietikon në vitin 2022. Fjala është për vrasjen e ekonomistes së njohur, pedagoge universitare, Shqiponja Isufi, vrasje me të cilën ngarkohet bashkëshorti i saj, Afrim T., shqiptar nga Maqedonia, me shtetësi zvicerane.

Vrasja kishte tronditur komunitetin shqiptar dhe kishte ngjallur debate mbi femicidin si dhe qasjen patriarkale që shoqëria shqiptare ka ende ndaj krimit të tillë.

Lidhur me vrasjen dhe rrethanat, sidomos ato sociopsikologjike, që kanë të bëjnë me ambientin shqiptar kanë shkruar së fundi shumica e mediave në Zvicër. Disa prej tyre janë duke e ndjekur procesin gjyqësor në mënyrë të drejtpërdrejtë, minutë pas minute.

Sipas aktakuzës, krimi ka ndodhur natën e së dielës, më 25 shtator 2022. Shqiponja dhe bashkëshorti i saj kanë shkuar në shtrat rreth orës 01:00. Dy orë më vonë, bashkëshorti u zgjua në një shtrat bosh dhe Shqiponja kishte shkuar në banjë për të bërë dush. Celulari i saj ishte mbi lavaman dhe i pandehuri e kishte marrë atë. Aty, sipas akuzës, ai kishte gjetur foto intime të saj dhe një burri tjetër, shkruan blick.ch.

Që nga ai moment situata qe përshkallëzuar: gruaja i kërkoi celularin burrit. Në përleshjen që pasoi, të dy kishin rënë në vaskë, e cila ishte pjesërisht e mbushur me ujë. Shqiponja në këtë gjendje ka luftuar për jetën por më kot. Burri i saj do ta ketë shtyrë disa herë nën ujë dhe kështu e ka ngulfatur derisa ajo nuk lëvizi më.

Pas vdekjes së saj, ai qe përpjekur që krimin ta bënte të dukej si një vetëvrasje, vazhdon aktakuza. Ai ka hedhur një tharëse flokësh në vaskë, ka mbyllur derën nga jashtë dhe ka shtyrë çelësin poshtë derës. Për shërbimet e urgjencës, që kishin ardhur pak më vonë, vdekja e saj në fakt dukej si vetëvrasje, por pas hetimeve mjeko-ligjore ishte e qartë se aty do të kishte pasur veprime të jashtëm. Një ditë pas gjetjes së trupit, burri qe arrestuar dhe kishte pranuar se ishte përgjegjës për vdekjen e gruas së tij.

Afrim T. dhe Shqiponja mësohet se janë njohur në vitin 2003, thuhet në tekstin e aktakuzës, të publikuar në fillim të vitit.

Nga pranvera e vitit 2022, i pandehuri thuhet se është bërë gjithnjë e më xheloz dhe dyshohet se ishte përfshirë një burrë tjetër. Shqiponja e ka mohuar gjithmonë këtë dhe mësohet se i ka kërkuar të akuzuarit që një ditë para krimit të mos lexojë më mesazhet e saj. Mësohet se ajo ka njoftuar gjithashtu se donte të kërkonte banesë tjetër, për vete.

Sipas deklaratave të dëshmitares së parë në ditën e parë të gjykimit, prej disa kohësh kishte një krizë në martesë. Viktima e mëvonshme thuhet se i kishte thënë dëshmitares – një person që ajo e njihte – se burri i saj e kishte tradhtuar. Kjo është arsyeja pse ata kanë dhoma gjumi të ndara prej vitesh.

Sipas dëshmitares, gruaja nuk donte më lidhje me burrin e saj. Ai ishte jashtëzakonisht xheloz, lokalizonte me telefon vendndodhjen e gruas së tij telefononte dhe i shikonte celularin. Ajo nuk e dinte që e gjithë shtëpia monitorohej nga kamerat video.

Dëshmitarja nuk dinte asgjë për një marrëdhënie jashtëmartesore dhe nuk mund ta imagjinonte një gjë të tillë, shkruan “Blick”. Një tjetër dëshmitar tha të hënën se viktima kishte qenë në kontakt me një burrë, por ai nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur.

Megjithatë, vëllai i viktimës duket se e njihte më mirë motrën e tij. Ai tha se kishte pasur probleme me karakterin e dhëndrrit edhe para krimit. Ai për motrën e vrarë tha: “Ajo ishte një yll për ne. Një person optimist”. Nga deklaratat e familjarëve të viktimës u zbulua gjithashtu se babait të akuzuar i ishte hequr kujdestaria e djemve dhe se ata tani ishin në një vend të mirë.

I pyetur nga avokati mbrojtës i të akuzuarit, mjekja ligjore thotë se as tek viktima dhe as tek i akuzuari nuk janë gjetur prova për alkool apo drogë. Mjeku ligjor thotë se krimi ndoshta ka zgjatur për disa minuta.

“Duhet të supozojmë se ajo ishte ende e vetëdijshme në fillim”, shpjegon ajo. Lëndimet tregojnë gjithashtu se ajo po mbrohej.

Në aktakuzë, prokurori publik është i bindur se bashkëshortja “pësoi një vdekje jashtëzakonisht të dhimbshme dhe torturuese”.

Ekspertja mjekoligjore flet kryesisht për mavijosje dhe gërvishtje të lëkurës në disa vende në trupin e viktimës, të cilat i ka gjetur. Ajo përmend edhe shenjat e mbytjes dhe për “dhunë të theksuar”. Shkaku i vdekjes është përfundimisht nga asfiksia.

Tek të akuzuarit janë gjetur edhe gjurmë, si gërvishtje të lëkurës që mund të kenë ardhur nga thonjtë.

Asokohe nuk u arrit asnjë konkluzion përfundimtar në vend në lidhje me shkakun e vdekjes. Mirëpo, pas autopsisë u konstatua se gjurmët e gjetura “nuk përputhen me vetëvrasjen”.

Gjithashtu, në trup nuk u gjet asnjë dëshmi e goditjes elektrike. Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte hedhur një tharëse flokësh në vaskën e gruas së tij, e cila ishte pjesërisht e mbushur me ujë, për të inskenuar një vetëvrasje.

Në ditën e dytë të gjykimit është intervistuar një avokat. Atij i është kërkuar nga i akuzuari më 8 shtator 2022 një dëshmi. Më pas ai, me kërkesën e të akuzuarit ka hartuar një kontratë trashëgimie dhe martese për çiftin, transmeton albinfo.ch. Ai e ka noterizuar këtë më 22 shtator 2022, tre ditë para vdekjes së gruas.

Është interesant fakti se në rast vetëvrasjeje, i akuzuari do të kishte marrë të paktën 1.8 milionë franga nëpërmjet një kontrate trashëgimie dhe rregullave të tjerë të kujdesit. Por, siç thotë avokati, kjo ishte një punë absolutisht normale për të. Ai nuk kishte vënë re asgjë që mund të tregonte për krimin.

Në aktakuzë thuhet: Nëse gruaja e tij do të kishte vdekur, i akuzuari do të kishte perspektivë financiare prej të paktën 1.8 milionë franga.

Gjykata sapo ka mbyllur ditën e dytë të gjykimit. Gjykimi vazhdon nesër, e mërkurë, në ora 08:30, më pas i akuzuari do të merret në pyetje për herë të parë.

Gjyqi pritet të zgjasë disa ditë. Gjykata, e cila po mblidhet në godinën e Policisë Lëvizëse në Schafisheim AG, planifikon të shpallë vendimin e saj këtë javë.