Tre kosovarë në kërkim nga Policia e Shqipërisë, dyshohet se ndihmuan kalimin ilegal të kufirit
Tre shtetas të Kosovës janë shpallur në kërkim nga autoritetet e Shqipërisë pasi dyshohen se i kanë ndihmuar 22 shtetas të huaj të kalojnë kufirin ilegalisht.
Policia e Shqipërisë njoftoi të martën se është sekuestruar një veturë me targa kosovare me të cilën synohej transportimi i emigrantëve.
Të kërkuarit janë A.K, 36-vjeçar, S.O., 37 dhe B.S. 39, me banim në Gjilan.
Nga ky aksion policor është arrestuar një i dyshuar në Shqipëri.
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVKM Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për një rast të tentativës për dhënie ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Danubi 9’. Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi A. L., 44 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh”, thuhet në njoftimin policor.