Tentuan të fusnin nga Serbia në Kosovë veshmbathje të fëmijëve, dogana parandalon kontrabandën në Jarinjë

Tentuan të fusnin nga Serbia në Kosovë veshmbathje të fëmijëve, dogana parandalon kontrabandën në Jarinjë

Kronika June 09, 2024 - 11:14

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave në pikë-kalimin kufitar të Jarinjës.

Mallrat janë gjetur në autobusin nga Serbia për në Kosovë, e ku kryesisht ishin veshmbathje për fëmijë.

“Në linjën e rregullt të autobusit nga Serbia për në Kosovë, oficerët doganorë kanë zbuluar dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara. Fillimisht, të gjithë udhëtarët janë pyetur nëse kishin mallra për të deklaruar për Doganë dhe askush nuk është lajmëruar. Pas kontrollit të detajuar në bagazhin e autobusit, në valixhet e një udhëtare janë gjetur mallra të padeklaruara, përfshirë: këpucë për fëmijë, mallra të ndryshme tekstili, bëhet e ditur në njoftimin e Doganës.

Tutje, në njoftim thuhet se këto mallra janë konfiskuar menjëherë dhe ka filluar procedura kundërvajtëse ndaj personit të përfshirë.

“Ky operacion është një tjetër sukses në përpjekjet tona për të luftuar kontrabandën dhe për të siguruar një treg të drejtë dhe të ligjshëm”, vijon njoftimi.