Spiunët e arrestuar dhe BIA serbe patën bisedime një ditë pas sulmit në Banjskë

Spiunët e arrestuar dhe BIA serbe patën bisedime një ditë pas sulmit në Banjskë

Kronika June 06, 2024 - 22:47

Në një operacion të Policisë së Kosovës u arrestuan dy persona të dyshuar për spiunazh në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).

Bisedat mes spiunëve dhe BIA-s ka ndodhur vetëm një ditë pas sulmit në Banjskë, sipas burimeve brenda organeve të sigurisë ekskluzive nga Dukagjini.

Por, sa i përket rastit të arrestimit të dy të dyshuarve për spinuazh, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi, fillimisht hetimi për ta ka nisur diku afër 3 vjet më parë.

Informacioni i parë sipas burimeve të televizionit Dukagjini, ka ardhur tek Agjencia e Inteligjencës, nga një shërbim partner i shtetit të Kosovës. Më pas specialistët e AKI-së u janë vënë në gjurmë.

I kanë përcjellur dy të dyshuarit, të cilët kanë vepruar si ndaras, pra duke e pasë një shef të përbashkët por duke vepruar të ndarë.

Dukagjini merr vesh se Agjencia e Inteligjencës pasi që ju ka rënë në gjurmë të dyshuarve i ka përcjellur dhe vëzhguar në vazhdimësi.

Për kohë të gjatë, përcjellja e tyre dhe vëzhgimi është kryer në hapësira të ndryshme brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.

Sipas informacioneve takimet janë zhvilluar kryesisht në Serbi.

Agjencia e Inteligjencës ka arritur të bëjë edhe përgjime ambientale të komunikimit të të dyshuarve me shefin e tyre e ku edhe dëgjohen duke folur.