Merret peng dhe vritet një 31-vjeçar në Dhërmi

Merret peng dhe vritet një 31-vjeçar në Dhërmi

Kronika June 06, 2024 - 17:04

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se është marrë peng dhe është vrarë një 31-vjeçar në Dhërmi.

Në njoftimin e policisë thuhet se ai ka qenë punonjës në recepsionin e një hoteli atje dhe kishte humbur kontaktet me pronarët e vendit ku punonte.

“Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit. Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë”.

“Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli”, thuhet në njoftim.

Tutje, policia ka njoftuar se i dyshuari është larguar drejt Greqisë.

“Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë. Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.

Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor”, thuhet tutje në njoftim.