Dënohet me 23 vjet burgim i akuzuari për vrasjen në Kryshec të Pejës
Foto: Zëri / Ilustrim

Dënohet me 23 vjet burgim i akuzuari për vrasjen në Kryshec të Pejës

Kronika June 05, 2024 - 15:12

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 23 vjet burgim të akuzuarin Janifer Gashi, për vrasjen e tani të ndjerit I.G., në Kryshec të Pejës.

Shpalljen e këtij aktgjykimi e bëri të mërkurën kryetari i trupit gjykues, Shaqë Curri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të akuzuarit Gashi, për veprën penale “Vrasje e rëndë”, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim prej 22 vjetësh.

Për veprën e dytë “Lëndim i lehtë trupor”, dënim me një vit burgim dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, një vit burgim.

Andaj, konform Nenit 76 të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari Curri, i shqiptoi dënim unik me burgim prej 23 vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 13 mars 2023, e ngarkonte të akuzuarin Janifer Gashi, që më 28 qershor2022, rreth orës 21:04 min., në fshatin Kryshec, komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G., me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G., si dhe me ç’rast me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit F.G. dhe po ashtu me dashje ka rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarve, Z.G., D.G., L.G. dhe F. G.

Sipas aktakuzës, thuhet se me këtë ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga Neni 173, pika 1.5 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga Neni 185, par. 2 lidhur me par. 1, pika 1.1 të KPRK-së.

Gjithashtu në dispozitivin e tretë, i akuzuari Gashi ngarkohej se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi armë ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pistoletë së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë, me të cilën armë ditën kritike kishte shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I.G.

Me këtë rast, thuhet i njëjti ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, par. 1 i KPRK-së.