Aktakuzë për dhunimin e 18-vjeçares me aftësi të kufizuara në Ferizaj

Aktakuzë për dhunimin e 18-vjeçares me aftësi të kufizuara në Ferizaj

Kronika May 28, 2024 - 14:57

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale Xh.D., nga fshati Dubravë - komuna Ferizaj, i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data 01 e deri më 02 maj të vitit 2024, në një motel në Ferizaj, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën - si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, që e njëjta të kryej akt seksual pa pëlqim, në atë mënyrë që fillimisht e josh të dëmtuarën përmes rrjetit social “Facebook” që të takohen, ku e dëmtuara i bindet të pandehurit dhe i njëjti e hipën në veturë dhe duke e parë dhe qenë i vetëdijshëm për gjendjen e saj psikike, me të njëjtën veturë e dërgon të dëmtuarën në motel në Ferizaj dhe gjatë kësaj kohe e detyron të dëmtuarën të kryejë akt seksual disa herë dhe ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe në fund i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marrë të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marrë dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor për veprën penale, për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit”, njofton Prokuroria. /Zëri