Policia gjen granatë dore në Kllokot, dyshohet se është që nga paralufta
Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën, rreth orës 11:05, në fshatin Mogillë të Kllokotit ka gjetur një granatë dore.
“Ankuesi mashkull kosovar, serb, nga fshati Mogillë - komuna e Kllokotit ka njoftuar se gjatë kryerjes së disa punimeve në oborr nën rrënojat e një shtëpie të vjetër, e cila ishte e ndërtuar nga material i dobët (tulla balte dhe çati të rrënuar), shtëpi e cila sipas ankuesit ka qenë e pabanuar që para vitit 1999, ka vërejtur një mjet të dyshuar shpërthyes.
Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore”, njofton Policia.
Policia tutje shton se nga hetimet e para mësohet se mjeti i dyshuar ishte një granatë dore dhe në bazë të këqyrjes së vend ngjarjes, ku është gjetur dhe gjendjes së mjetit (i ndryshkur në tersi) granata e dorës dyshohet se në vendin e ngjarjes ka qenë prej shumë vitesh (dyshohet se është që nga paralufta).
“Mjeti i dyshuar nga vendi i ngjarjes është tërhequr pa asnjë pasojë nga njësitet përkatëse të FSK-së dhe KFOR-it. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, në lidhje me rastin në fjalë përpilohet vetëm një shënim zyrtar, pasi nuk janë gjetur elemente të kryerjes së veprimeve penale”, thuhet në njoftim.