Policia: Mbyllen gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” në veri, operacioni po zhvillohet pa problem
Policia e Kosovës ka konfirmuar mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.
Policia njoftoi se po zhvillon një operacion në gjashtë lokacione në katër komunat veriore.
“Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia thotë se “ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, aksion ky i cili deri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident”.
“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftim.