40-vjeçari mbante peng dy fëmijët e tij, Leka: Dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor
Një 40-vjeçar në Durrës mbante peng në banesë dy fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11-vjeçar.
Ai pati shkëmbin zjarri edhe me forcat policore, por pas ndërhyrjes së këtyre të fundit, dy fëmijët janë liruar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa babai i tyre është arrestuar.
Në lidhje me këtë ngjarje, foli Ervin Leka, gazetar në ABC News, i cili tha se i dyshuari ishte denoncuar edhe nga bashkëshortja e tij në qytetin e Lezhës për dhunë në familje.
Leka u shpreh se dyshohet se 40-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe sipas tij, kjo është pista kryesore ku po heton edhe policia.
“40-vjeçari duket se ka pasur një jetë problematike sa i përket dhunës së ushtruar në familje, pasi ishte denoncuar edhe nga bashkëshortja e tij në qytetin e Lezhës, por edhe në shtetin italian, ku kishte jetuar së bashku me familjen e tij, kishte bërë disa akte dhunë në familje dhe si duket tashmë po hetohen nga ana e policisë edhe problemet mendore të këtij personi, pasi dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe kjo është pista kryesore ku po heton edhe policia”, është shprehur tutje Leka për Klan Kosova.