Prokurorët e shtetit udhëzohen të kërkojnë caktimin e paraburgimit në rastet e dhunës në familje
Kryeprokurorët e Kosovës kanë nxjerrë si konkluzë që në secilin rast ku ka bazë ligjore, prokurorët e shtetit të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore.
Kështu u vendos në takimin që Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi e ka mbajtur me kryeprokurorët e të gjitha Prokurorive, më 22.04.2024.
Në komunikatën e lëshuar pas këtij takimi thuhet se “në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nëpër të gjitha Prokuroritë Themelore, për rastet e dhunës në familje, janë të caktuar koordinatorë nga radhët e prokurorëve, të cilët merren ekskluzivisht me këto raste”.
Në takim u kërkua që të adresohen tek institucionet tjera disa kërkes, mes tyre edhe ajo për rritjen e buxhetit për shtimin e numrit të mbrojtësve të viktimave si dhe ajo për shtimin e strehimoreve për vendosjen e viktimave.
Po ashtu, u kërkua edhe rritja e kapaciteteve në Agjencinë për Forenzikë si dhe rritja e kapaciteteve të Institutit për Forenzikë Psikiatrike.
Për rastet e korrupsionit, U.D Kryeprokurori ka kërkuar nga vartësit e tij të rrisin efikasitetin.
“Ndër të tjera gjatë këtij takimi u diskutua edhe për funksionalizimin e Zyrës për Rikthim të Aseteve, për planin për procedurat standarde të veprimit, si dhe u elaboruan të gjitha çështjet që bien në kompetencë të kësaj zyre”, thuhet mes tjerash në komunikatë..
Në takim ka marrur pjesë edhe një përfaqësues i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.