Prokuroria fton për bashkëpunim të dëmtuarat nga rasti “Albkings”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit, pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke vazhduar me trajtimin e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Kujtojmë se Policia ka arrestuar ditë më parë administratorin e këtij grupi, ndërsa sot ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. /Zëri