Policia konfiskon mbi 25 mijë euro, dyshohet se janë të vjedhura ose falsifikuara

Policia konfiskon mbi 25 mijë euro, dyshohet se janë të vjedhura ose falsifikuara

Kronika April 17, 2024 - 10:02

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se janë marrë me vënien në qarkullim të parave të falsifikuara ose parave të vjedhura.

Policia ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) – Prishtinë, kanë arritur të sigurojnë informata e prova se dy të dyshuar janë përfshirë në veprimtari penale.

Të dyshuari R.P. (viti i lindjes 1984, mashkull kosovar) dhe E.R., (viti i lindjes 1996, mashkull kosovar) dyshohet se kanë falsifikuar para, respektivisht janë marrë me vënien në qarkullim të parave të falsifikuara ose parave të vjedhura/grabitura nga ndonjë institucion bankar (para me ngjyrë).

“Te të njëjtët, gjatë kontrollit të veturës me targa vendore, me të cilën udhëtonin, janë gjetur para në vlerë 25.316 (njëzet e pesë mijë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) € (të dyshuara si të falsifikuara ose të vjedhura/grabitura nga ndonjë institucion bankar/financiar, pasi që paratë ishin të bëra me ngjyrë), andaj personat e dyshuar janë arrestuar për procedura të mëtejme”.

“Hetuesit policorë, gjatë tërë kohës kanë qenë në koordinim me prokurorin e rastit, në konsultim me të, ndaj dy të dyshuarve të lartcekur është iniciuar rasti karshi veprës penale ‘Falsifikim i parasë’”, thuhet në njoftim.

Sot të dyshuarit janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit, ata dërgohen në mbajtje për 48 orë. /Zëri

Image

Image

Image