12 raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit

12 raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit

Kronika April 17, 2024 - 09:02

Dhuna në familje mbetet në nivel shqetësues, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 12 raste, ku të gjitha viktimat kanë qenë gra, shkruan Zeri.info.

Të gjitha rastet e raportuara në Polici të dhunës në familje mund t’i gjeni më poshtë, sipas qyteteve nga janë raportuar:

Fushë-Kosovë, 16.04.2024, 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare - bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Podujevë, 16.04.2024, 14:40. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, në vazhdimësi është duke i shkaktuar dhunë psikike. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, si dhe ka refuzuar urdhrin mbrojtës, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Podujevë, 16.04.2024, 17:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar me të meta psikike, e kishte sulmuar fizikisht. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar në Repartin Psikiatrik për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Rasti nën hetime.

Dhunë në familje & kanosje

Prishtinë, 10.04.2024, NN. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, i cili gjendet në vuajtje të dënimit, e kishte kanosur përmes telefonit. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, pasi e njëjta ishte e shqetësuar. Rasti nën hetime.

Dhunë në familje

Prishtinë, 04.04.2024, 00:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë psikike ndaj saj. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari, me vendim të prokurorit, rasti në procedurë të rregullt.

Fushë-Kosovë, 16.04.2024 19:46. Raportohet se pas një mosmarrëveshjeje të anëtarëve të familjes, një mashkull kosovar (vjehrri) dhe dy femra kosovare (nusja dhe kunata) ka ardhur deri te shtyrja në mes tyre, me ç’rast të njëjtët kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët lirohen në procedurë të rregullt.

Gjilan, 16.04.2024, 10:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, me të meta psikike, pasi kishte fyer viktimat femra kosovare, nënën dhe mbesën e tij, si dhe i njëjti mbesën e kishte kapur me dy duart për fyti. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ferizaj, 16.04.2024, 15:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, i kishte telefonuar nga Gjermania dhe i kishte thënë se kur të vijë në shtëpi të mos e gjejë aty. E njëjta ka kërkuar urdhër mbrojtës, pasi ndihet e rrezikuar nga i dyshuari. Pas intervistimit, e njëjta është kthyer në shtëpinë e saj së bashku me prindin e bashkëshortit të saj.

Ferizaj, 16.04.2024, 21:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi nën ndikim të alkoolit 1.32 promilë ka shkaktuar dhunë psikike ndaj anëtarëve të familjes. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Klinë, 16.04.2024 - 10:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare, nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari me të meta mendore sipas raportit të mjekut është dërguar në mbajtje.

Deçan, 16.04.2024, 20:00. Është arrestuar i dyshuari i mitur, mashkull kosovar, pasi si recidivist i veprës edhe sot kishte përdor dhunë fizike dhe psikike ndaj familjarëve të tij. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Pejë, 13.04.2024, 13:30. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.