Dhuna në familje, policia thotë se pati rënie 10.77 për qind krahasuar me vitin e kaluar
Policia e Kosovës, me autorizimet e saj ligjore dhe nëpërmjet zbatimit të planeve zhvillimore strategjike dhe planeve operacionale, ka vazhduar të ndërmarrë veprime të pandërprera në parandalimin e veprimtarive kriminale, duke përfshirë ndërmarrjen e masave konkrete për sensibilizimin dhe parandalimin e dhunës në familje.
Megjithatë, pavarësisht se rastet e dhunës në familje sipas PK-së kanë shënuar një rënie prej 10.77%, nga 2.757 raste në 2.460 raste krahasuar me vitin e kaluar, ky fenomen mbetet një shqetësim i madh në fillim të këtij viti.
Dhuna në familje është një plagë sociale që ndikon në shumë familje jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën, pasi ka një efekt shkatërrues në jetën e njerëzve.
Rastet tragjike të dhunës që përfshijnë vrasjen e rëndë në Ferizaj më 12.04.2024 dhe ngjarjen e dhunshme të datës 16.04.2024 në Pejë, sjellin në dritë pasojat e tmerrshme të kësaj çështjeje. Policia e Kosovës ka vepruar me shpejtësi duke arrestuar të dyshuarit dhe duke i dorëzuar ato para organeve kompetente të drejtësisë.
Në të gjitha incidentet e raportuara, Policia e Kosovës thotë se ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante si qendrat për pune sociale, mbrojtësit e viktimave dhe organet e drejtësisë, për të sjellë të dyshuarit para ligjit. Arrestimet e bëra dhe rastet e trajtuara pas vrasjeve në Ferizaj dhe Pejë janë dëshmi e këtij angazhimi të palëkundur.
“Mbrojtja nga dhuna është një e drejtë themelore e njeriut dhe Policia e Kosovës përkushtohet të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Një pjesë jetike e këtij angazhimi është edhe bashkëpunimi me komunitetin, përfshirë individët, organizatat dhe institucionet e ndryshme dhe sistemi ligjor, për të eliminuar çdo formë të dhunës në familje ose të bazuar në gjini”, thuhet në njoftim.
Përdorimi i dhunës nuk është kurrë zgjidhje e problemeve dhe çdo humbje jete është një tragjedi për të afërmit dhe shoqërinë në përgjithësi. Në këtë kontekst, Policia e Kosovës i bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me forcat e rendit, të raportojnë çdo rast të dyshimtë pa vonesë, duke kontribuar kështu në zgjidhjen dhe parandalimin e incidenteve të tilla dhe duke sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për veprime të tilla kriminale.