
Arrestohet personi që dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj
Është arrestuar personi i dyshuar për vrasjen e një gruaje në Ferizaj.
Sipas burimeve, i dyshuari është ish-bashkëshorti i viktimës, ndërsa rasti ka ndodhur në Qendrën për Punë Sociale, raporton Zeri.info.
Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar më herët edhe Policia në Ferizaj, ku tha se edhe një burrë është plagosur.
“Më datën 12.04.2024, në orën 14:40, kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë, nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka vdekur në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt.
I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur, por i njëjti është arrestuar më pas nga Policia.
“Ekipe të Policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në orën 15:15 kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarjeje. Ekipe të hetuesve dhe krimteknikët janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i Shtetit”, tha Veseli për “Zërin”.