Vritet një grua në Ferizaj
Një grua është vrarë para një ore në Ferizaj dhe një burrë është plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në Qendrën për Punë Sociale në këtë qytet, raporton Zeri.info.
Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar edhe Policia në Ferizaj.
“Më datën 12.04.2024, në orën 14:40, kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë, nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt.
I dyshuari, pasi ka shtënë me armë zjarri, është larguar në drejtim të panjohur, por i njëjti është arrestuar më pas nga Policia.
“Ekipe të Policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në orën 15:15 kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarjeje. Ekipe të hetuesve dhe krimteknikët janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i Shtetit”, tha Veseli për “Zërin”.